Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Nesër në Kosovë do të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell. Do të jetë nxehtë për këtë periudhë kohore për shkak të dominimit të plotë të rrymimeve ajrore nga jugu. Pasdite në shumë rajone priten reshje afatshkurtra shiu, më të theksuara në disa rajone të Dukagjinit.

Në Shqipëri nesër pritet të ketë mot kryesisht të vranët, por paradite mund të ketë edhe intervale kohore me diell. Pasdite dhe në mbrëmje priten reshje shiu, vende-vende priten reshje intensive shiu.

Edhe në Maqedoninë veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell. Pasdite priten reshje shiu, shumë më intensive në Mal të Zi.

Të dielën në tërë rajonin na pret një ditë me vranësira të dendura dhe reshje shiu. Reshje të fuqishme dhe rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë do të ketë në Shqipëri dhe Mal të Zi, kurse rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë mund të ketë lokalisht në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Në Shqipëri dhe Mal të Zi mund të ketë edhe vërshime afatshkurtëra.

Të hënën në tërë rajonin pritet të kemi mot tërësisht të vranët , me reshje të herëpashershme shiu. Në viset malore do të fillojnë reshjet e borës. Gjatë ditës së hënë do të fillojnë të fryjnë erëra veriore dhe veriperëndimore dhe si pasojë do të fillojë edhe ulja e temperaturave./Meteoballkan