Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të shpeshta kalimtare. Pasdite vonë në rajonin e Dukagjinit priten rrebeshe lokale shiu me mundësi edhe për ndonjë vetëtimë dhe bubullimë, por edhe në rajonet tjera nuk përjashtohet mundësia e ndonjë rige apo rrebeshi afatshkurtër shiu.

Në Shqipëri nesër po ashtu pritet të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Pasdite vonë në veri dhe lindje të vendit priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Rrebeshe shiu priten nesër pasdite vonë edhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut, kurse në Mal të Zi priten rrebeshe në tërë vendin.

Të hënën dhe të martën pritet përmirësim gradual i motit, Do të ketë më shumë rreze diellore, por edhe vranësira herë pas here. Reshje atmosferike nuk pritet të ketë, megjithatë të martën vonë në disa rajone në Kosovë mund të ketë riga ose rrebeshe shiu të cilat gjatë natës do të përfshijnë shumë pjesë të Republikës së Kosovës./Meteoballkan