Murati: Samiti i Berlinit ka një rol të rëndësishëm, mirëpo nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim (LB), Valon Murati në një intervistë për emisionin “Përballje ditore”, në Telegrafi.com ka folur për rëndësinë e Samitit të Berlinit, për procesin e dialogut, Kosovë-Serbi për taksën dhe për zhvillimet politike në vend.

Murati ka thënë se ekziston një zbehje e rolit të Bashkimit Evropian (BE) në Ballkan si dhe një tërheqje e tyre duke u bazuar në problemet që janë krijuar brenda vet shteteve të BE-së.

Sipas tij, Samiti i Berlinit ka një rol të rëndësishëm, mirëpo siç tha ai nuk do të ketë ndonjë rezultat konkret nga ky takim.

“Takimi e ka një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe perspektivën e saj. Kemi një zbehje të rolit të BE-së në Ballkan dhe një tërheqje…Tërheqja është në bazë të telasheve që kanë shtetet si rritja e së djathtës dhe ajo e imigracionit. Në rastin e Kosovës kemi një rënie të ndikimit. Nuk besoj që do të ketë rezultat konkret në Samitin e Berlinit, por do të ketë shtrirje të rrugës që procesi i dialogut të fuqizohet, nuk pres dokument”, ka thënë ai.

Murati theksoi se dy shtetet e fuqishme si Gjermania dhe Franca nuk e kanë mendimin e njëjtë për korrigjimin e kufijve. Franca është pro korrigjimit.

Kosova me këtë Kushtetutë që ka është një shtet jo funksional, andaj duhet të bëhet ndryshimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ridefefinimi i kufijve të Kosovës, pra bashkimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Kosovën dhe në anën tjetër bashkimin e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut me Serbinë pa fshatrat shqiptare, thekson tutje Murati/Fokusi.info/