Mustafa: Mos e maltretoni Pacollin ju që e keni shkelur Kushtetutën, votat i kemi

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Ministria e Shëndetësisë po merret me politikë në emër të Covid-19.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa tha se paralajmërimi i ministrisë se nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik.

“Paralajmerimi i kësaj ministrie, se nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik. I izolimit të një deputeti. Të përfaqësuesit të popullit”, tha Mustafa.

Ai tha se ministria nuk mund të marrë vendime të tilla pa e parë dokumentacionin e Pacollit për gjendjen e tij shëndetësore, të cilin vlerësim nuk e bëjnë zyrtarët e ministrisë, por ekipet e mjekëve.

“Ministria e ka vështirë të dëshmojë se nuk ka lejuar raste e raste të shkojnë në shtëpitë e tyre, pas dëshmive që kanë prezantuar për gjendjen e tyre shëndetësore Prandaj nuk ka nevojë ta maltretojnë një deputet dhe një biznesmen të njohur. Sjellja e tillë e kësaj qeverie është argumenti më i mirë që ajo e arsyetoi rrëzimin e saj”, ka shkruar Mustafa.

Ai tutje tha ‘mos e maltretoni z. Pacolli, mos u thirrni në parimet që nuk i keni zbatuar ju që e keni shkelur Kushtetutën, sepse votat i kemi’.

Pacolli ka dashur të vijë në Kosovë nga Zvicra, për formimin e Qeverisë së re, por këtij të fundit i është kërkuar që pas ardhjes në Kosovë do të karantinohet për 2 javë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.