Mustafa: Ndoshta Vetëvendosje na e jep Kryeministrin

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se VV-ja me siguri e ka menduar që t’ua japin postin e kryeministrit, pasi ata e morën atë të kryeparlamentarit.

“Gjithçka është e mundur në këtë vend”, ka thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Duke folur për marrëveshjen e re, ai ka thënë se tashmë është një konfiguracion i ri.

Ai thotë se bashkë me organet e partisë do të bisedojnë e të marrin vendime lidhur me kërkesat e tyre për bashkëqeverisje.

Mustafa thotë se gjithsesi duhet të bëhet marrëveshje e re lidhur me përgjegjësitë, por shton se ndoshta ka nevojë edhe te programi qeverisë.

Ai ka lënë të hapur edhe mundësinë e kalimit të LDK-së në opozitë.

“Çdo gjë është e hapur, edhe mundësia që të dalim në opozitë, ta bëjmë një opozitarizëm shumë të mirë, të suksesshme”.

AI thotë se po të dilte LDK-ja e para, do t’i lusnin subjektet që ta formonin qeverinë.

“Ne si të dytit i kemi 28 deputetë dhe kërkojmë që përgjegjësia jonë në qeveri të jetë karrshi votës. Ne duhet të marrim aq sa neve na takon. Ofertën tonë e kemi dhënë edhe më pak se sa që na takon. Qeverisja duhet të bërë në përgjegjësi të përbashkët”, ka thënë ai.

Mustafa thotë se derisa nuk mbyllet procesi asgjë nuk është absolute.

Ai thotë se nuk heqin dorë nga parimi që të marrin përgjegjësinë që ua ka dhënë populli.

Mustafa ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.

“Nuk është orientimi i mirë për të shkuar në zgjedhje sepse nuk kemi bërë zgjedhje për të shkuar në zgjedhe. Energjinë tonë nuk duhet ta shfrytëzojmë për të thënë se duhet shkuar në zgjedhje por duke kërkuar zgjidhje”, ka thënë Mustafa.

“Shkojmë në zgjedhje, pa problem. Nëse shkojmë ne zgjedhje, ne do të kemi parasysh edhe faktorët që na çojnë në zgjedhje”.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se ka qenë transparent me strukturat e partisë që e drejton.

“Kam aplikuar një proces krejtësisht të hapur dhe transparent. Nuk ka gjë që nuk e din jo vetëm znj. Osmani, por edhe anëtarët Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve të LDK-së. S’ka gjë që nuk kam ndarë me të gjithë e le më me nënkryetarët e LDK-së. Në asnjë rast s’ka diferencime. Ne kemi konsultime ditore me Vjosën”, ka thënë Mustafa.