Nisin lëvizjet, ministrja tregon si do të veprohet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta

Pasi kryeministri Edi Rama deklaroi se presidenti Ilir Meta do të shkarkohet nga parlamenti aktual, edhe ministrja Spiropali e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Spiropali tregoi në “Zonë e Lirë” se pas shkarkimit, hapi i radhës që do të ndiqet është duke e çuar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.

“Lajmi i mirë është që partia më klienteliste në Shqipëri me kryetar Presidentin e Republikës që na ka turpëruar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht në institucionin e vet ka dalë partia më pak e votuar në Shqipëri. Ka marrë ndëshkim nga populli shqiptar dhe të hënën e tutje do ta certifikojë Kuvendi. Kemi filluar procedurat. Kemi mbledhur firmat dhe do të ndjekim procedurat. Do ta shkarkojmë në Kuvend dhe pastaj shkon në Gjykatë Kushtetuese. E ka shkarkuar populli me votë Ilir Metën. Presidenti i Republikës këtë radhë është futur në raportin e OSBE/ODIHR si shkatërrues i zgjedhjeve. Është e rëndë”, tha Elisa Spiropali.

Tashmë ka hapa konkretë nga ana e mazhorancës për të ‘dënuar’ Ilir Metën.

“Të dashur, bazuar në disa shkelje të rënda të Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesine e Grupit Parlamentar kemi vendosur të inicijojme Proceduren e Shkarkimit të Presidentit te Republikes.  Për kete qellim ju lutem siguroni prezencën tuaj pranë Zyres së Grupit Parlamentar për të firmosur propozimin për shkarkimin e Presidentit”, thuhet në mesazhin e mbërritur në telefonat e deputetëve të PS.