Një i vdekur në Mitrovicën e Veriut, katër raste të reja me Covid-19

Në veri të Kosovës janë raportuar edhe 4 raste të tjera të infektuar me Covid-19, ku njëra prej tyre ka ndërruar jetë.

“Numri i përgjithshëm i pacientëve në Veriun e Kosovës është 44”, tha specialisti i epidemiologjisë, Aleksandar Antonijeviç, raportojnë mediat serbe.

Pacientja e ndjerë nga Mitrovica e Veriut ka lindur në vitin 1965 dhe u pranua në repartin infektiv në Mitrovicë dhe ‘vdiq ndërsa ishte duke shkuar për në Klinikën Infektive në Nish’, tha sot Antonijeviç, në një konferencë për media.

Sidoqoftë, nuk u specifikua nëse e ndjera kishte sëmundje të tjera shoqëruese.

Një rast i pacientëve të rinj Covid-19 është raportuar në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zvecan, Zubin Potok dhe Leposavic.

Numri i përgjithshëm i personave të prekur nga virusi korona në Mitrovicën e Veriut është 23, në Zvecan 11, në Leposavic pesë (nga të cilët një pacient ka vdekur), në Zubin Potok 4.

Deri më tani, gjithsej 44 persona janë infektuar në komunitetet serbe, me dy persona që humbën jetën si pasojë e virusit korona, nga Leposavic dhe Mitrovica e Veriut.