Një sqarim për të gjithë ata që më keqkuptojnë me apo pa qëllim

Shkruan Nasim Haradinaj:

Një sqarim për të gjithë ata që më keqkuptojnë me apo pa qëllim!

Në shkrimin tim ku iu kam drejtuar opozitës e të cilin disa media e kanë interpretuar si gratë që lexojnë filxhana unë Nasim Haradinaj nuk i kam dalë zot as opozitës e as pozitës por thjeshtë të së vërtetës.

I kam dalë zot të së vërtetës nga brenga e thellë për fatin popullin, shtetin dhe atdheun tim.
Biografia ime e dëshmon shumë qartë se popullit dhe atdheut i kam dalë zot me sinqeritetin më të madh kurdo, kudo, në të gjitha fazat e jetës, si dhe personalisht e familjarisht.

Kur jam burgosur politikisht kam qenë në moshë të mitur apo pothuajse fëmijërore.
Nuk ekziston asnjë anëtar i familjes sime që nuk është burgosur politikisht dhe nuk është torturuar mizorisht nëper kazamatet famëkeqe serbo-sllave, përveç gjyshës sime.

Ata dhe ato që e kanë njohur babain tim e dinë shumë mirë se kush dhe çfarë ka qenë, si dhe i kujt jam unë !

Kurdo që populli dhe atdheu im ka qenë i kanosur nga rreziku për t’u zhbërë iu kam përgjigjur kushtrimi për t’i dalë zot me vullnet të pathyeshëm dhe i gatshëm për t’u sakrifikuar deri në bërthamën e qelizave.

Në luftë për çlirim jam kthyer nga Suedisë pa hezituar as një sekondë të vetme.

Për rolin tim në aksionin e pajtimeve respektivisht faljes së gjaqeve, për rolin tim në kohën e izolimit famëkeq të “112 intelektualëve”, si dhe për rolin tim unifikues e komandues në luftën për çlirim nuk kam nevojë as që të flas, sepse është i njohur publikisht.

Kështu që të gjithë ata që kritiken time konstruktive ndaj opozitës që bazohet në fakte e keqkuptojnë me apo pa qëllim si vardisje apo lajthitje ndaj pushtetit e kanë shumë, shumë gabim. Si duket të tillët nuk më njohin fare.

Unë kundër Demarkacionit, Gjykatës Speciale, krimit të organizuar, korrupsionit dhe politkbëries amatore kam qenë gjithmonë dhe këtë e kam thënë hapur në çdo paraqitje publike televizive dhe gazetareske.

E kam thënë të vërtetën kur të tjerët s’kanë pasur guxim as për ta pranuar në heshtje, sepse për mua e vërteta e plotë është baza më fisnike mbi të cilën ndërtohet shoqëria e shëndoshë.

Gjithçka që më intereson në këtë çast është që pozita dhe opozita të bëhen bashkë rreth temave me rëndësi të veçantë për ekzistencën e shtetit, gjegjësisht rreth temave të rënda që na presin dhe ta bëjnë më të mirën e mundshme.

Po nuk e bërën këtë do të futen në histori të gjithë së bashku si dështakë qyqarë dhe të paaftë për t’i dalë zot popullit, shtetit dhe atdheut sepse e tillë do jetë situata politike qe po na vie dhe do na sjellinë para akteve te tilla…!

E njerëzit deshtakë dhe qyqarë nuk i duhen as familjeve të tyre e lërë më popullit, shtetit dhe atdheut.

Pikërisht pse e kam thënë të vërtetën kurdoherë kam qenë i papërshtatshëm dhe anashkaluar politikisht.

Por për mua karriera politike nuk vlen as sa një milimetër i tokës sonë të shenjtë e të larë me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve.

Kaq për sonte.
I juaji
Nasim I.Haradinaj