Numri 127 përballon deri në 5000 thirrje paralele, masa edhe për respiratorët

Zv.Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, gjatë një emisioni mbrëmjen e të martës theksoi se masat e shtuara shërbejnë për të ulur shpërndarjen e koronavirusit.

Sipas saj, edhe Presidenti Ilir Meta, i cili zhvilloi pasditen e sotme një takim me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun, pati një qartësim të situatës.

“Presidenti kërkoi një informim nga ministria e Shëndetësisë si ishte situata në Shqipëri, për disa gjëra që i kishte të paqarta për numrin e respiratorëve, organizimin e Infektivit dhe shqetësimit nëse ishin të mjaftueshme nëse do të kishim epidemi të madhe. Takimi ishte normal, në fund Presidenti u shpreh ‘unë tani jam më i qetë’. Ishte një informacion që kërkoi Presidenti, është normale që të jetë i shqetësuar. Kjo ishte ajo që u diskutua në këtë takim”,- tha zv/Ministrja.

“Respiratorët i kemi, i shpjeguam, po ashtu organizimin te Infektivi, por edhe planin që kemi bërë si komitet ekspertësh për ta përballuar dhe që ndryshon në dinamikë, pasi kjo ka shumë të panjohura. Kemi ngritur problemin që mund të na duhen më shumë respiratorë, qeveria dha fondin për të blerë. Kemi menduar edhe vendet ku do të vendosen respiratorët dhe linjat”,- tha Rakacolli.

Lidhur me bashkëpunimin me opozitën, u shpreh se “ekspertët janë në spital. Nuk e di fare cfarë bindjesh politike kanë mjekët që ne kemi marrë si ekspertët në fushën e epidemilogjisë ndër vite. Janë të mirëpritur të japin mendime kush të ketë ide dhe mundësi. Komiteti i ekspertëve mblidhen çdo ditë. Ata që mendojnë se mund të japin një kontribut, sepse mendojnë se kanë një ide tjetër nga këto masa që ka marrë qeveria janë të mirëpritur”,- tha ajo.

“I këshillohet vetëkarantinim. Kushdo që hynë në pikat kufitare plotëson dhe një skedë, itinerarin dhe adresën e qëndrimit këtu. Ky është përshkallëzimi i masave. Nëse ata vijnë dhe vijnë nga një zonë me rrezik, duhet të vetëkarantinohen. 127 arrin të mbulojë deri në 5000 linja paralele”,- tha Rakacolli.

Ajo tha se dezinfektimi që po bëhet në institucione të ndryshme është masë e mirë që është ndërmarrë. Kjo i shërben jo vetëm koronavirusit, por edhe për rastet e tjera të viruseve të ndryshme. Nëse bëhet për COVID, në ato ambiente që mendohet se ka pasur dhe mund të ketë pasur COVID”,- nënvizoi zv/Ministrja./atsh