Nysrete Kumnova jep emrat e personave që ia morën djalin 20 vjet më parë

Nysrete Kumnova nga OJQ “Thirrjet e nenave” ka thënë se edhe si shoqatë edhe si familjarë kanë mirëpritur iniciativën për krijimin e një tribunali që do të gjykonte krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Kadri Veseli na ka ftuar në takim dhe na e ka shpjeguar iniciativën dhe si ide na ka pëlqyer. Kemi kërkuar që prioritet të jetë zbardhja e fatit të të pagjeturve që janë me mijëra që Serbia nuk i kthen. Kriminelët të dalin para drejtësisë. Ka qenë një ide e pëlqyeshme nga të gjithë dhe mbetetet të shihet. Dilema ekziston deri të shihet konkretisht”, ka thënë Kumnova.

“Ndoshta institucionet që merren me këtë çështje e analizojnë më mirë sesa ne familjarët. Shpresën e kemi që të bëhen diçka më shumë për këtë çështje. Janë hapat e parë dhe s’po e dimë se di do të jetë”.

“Gjykata Speciale nuk më ka pëlqyer sepse po gjykohen njerëzit e Kosovës – viktimat. Duam drejtësi për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë sepse ende nuk asnjë kriminel nuk është dënuar”.

Kumnova në Info Magazine ka dhënë emrat e dy serbëve që ia kanë marrin djalin e saj Albionin që ende është i zhdukur dhe pesë anëtarë tjerë të familjes së gjerë.

“Me 31 mars 1999 në 14:30 kanë hyrë persona të uniformuar me uniforme të ushtrisë serbe – nuk kanë qenë policë. Kanë qenë Vuk Mirkoviq dhe Dragan Raçiq. Ata jetojnë në Nish por askush nuk i ka ndjekur. Ata jetojnë të lirë. Kemi komunikuar gjatë luftës me ata njerëz. Kam shkuar me kunatën – Ferdonije Qerkezi. Na kanë thënë se “se nuk do t’i gjeni kurrë ata derisa ne t’ju tregojmë””.

Kumnova ka thënë se pesë nga të rrëmbyerit janë gjetur të vdekur dhe janë kthyer në Kosovë, kurse të birin ka thënë se po ia mbajnë ende atje me qëllim që t’i shkaktojnë vuajtje edhe më të mëdha.

Ajo ka thënë se janë bërë 20 vjet se nuk shpreson që i biri i saj Albioni të jetë gjallë.