Operacioni “Bistrica”, shkon në 14 numri i të arrestuarve

Policia e Shtetit ka arritur që të arrestojë edhe shtetasin me iniciale A.L, 38 vjeç, banues në Sarandë, me kërkesë të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rëndë në Tiranës, e cila ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, trafikimi i narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 telefonë celularë dhe një mjet tip “Volkswagen”.

Policia e Shtetit bën me dije se “nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë,  në maj 2019 finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”, ku pas një hetimi proaktiv, përgjatë një harku kohor disamujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 13 persona si dhe u sekuestruan rreth 147 kg kanabis sativa, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare dhe 14 aparatë celularë me kartat Sim të markave të ndryshme. Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tri armë zjarri dhe u vu në pranga një 52-vjeçar nga Mallakastra”.

Në operacion u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier.

Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal./atsh