Osmani priti Avokatin e Popullit, diskutuan për ankesat e qytetarëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, raporton teve1.info

Sipas komunikatës për medie, në takim u diskutua për situatën në vend për sa i përket të drejtave të njeriut.

Me këtë rast, Avokati i Popullit e njoftoi Presidenten Osmani për rastet më të shpeshta që adresohen në këtë institucion sa i përket shkeljes së të drejtave të njeriut, ndërkohë që u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional me qëllim të garantimit të të drejtave të qytetarëve.

Ndër të tjera, Presidentja Osmani u informua edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje, të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Presidentja dhe Avokati i Popullit poashtu diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet homologe në vende të tjera, si dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.