OVL e UÇK-së thotë se ka ardhur koha të mos vazhdohet mandati i Speciales, nga shoqëria civile mendojnë se puna e saj vazhdon

Gjykata Speciale pritet të vazhdojë punën edhe pas datës 5 gusht kur edhe bëhen pesë vite që kur Kosova bëri ndryshime kushtetuese.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për RTV Dukagjinin se puna e Spaciales do të vazhdojë e papenguar edhe pas datës 5 gusht.

“Nëse lexojmë me kujdes amendamentin kushtetues mund të kuptojmë se mandati i kësaj gjykate vazhdon edhe pas datës 5 gusht dhe i njëjti përfundon vetëm atëherë kur këshilli i Bashkimit Evropian e informon qeverinë e Kosovës se të gjitha proceset gjyqësore që ka pas në hetim dhe gjykim kjo gjykatë kanë përfunduar. Në këtë drejtim në bazë të obligimit ndërkombëtarë që ne kemi me shtetin e  Holandës kjo gjykatë do të vazhdojë mandatin duke injoruar afatin e caktuar pesë vjeçar”, deklaroi Ehat Miftaraj, përcjell Telegrafi.

Edhe pse është i vetëdijshëm se është e vështirë të ndalet puna e Gjykatës Speciale, kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati kërkon që kësaj gjykate të mos i vazhdohet mandati.

“Ne kemi bërë thirrje më herët, bëjmë thirrje edhe sot që kësaj gjykate të mos i vazhdohet mandati. Ne e dimë që është pak problem pasi kjo gjykatë është formuar me ndryshime kushtetuese, por e dimë që 82 deputetë e ndryshojnë edhe Kushtetutën. Mendoj se ka ardhur momenti që të piqen të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojnë këtë kushtetutë për hir të së drejtës që është në anën tonë”.

Kujtojmë se Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që përmenden në raportin e Dick Marty-t.

Kjo gjykatë mori mandat me 3 gusht të vitit 2015 me një mandat pesë vjeçar.