Pacolli: Është dashur t’i kundërvihemi Dick Martyt

Ministri i jashtëm në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar gjatë një konference për shtyp se e ka caktuar datën e dorëzimit të dokumentacionit që dëshmon krimet serbe në Kosovë dhe se shumëherë i është dashur të heshtë karshi spekulimeve se ne nuk ishim viktima.

Ai po ashtu e shfaqi edhe pendesën se pse si politikanë kanë heshtur ndaj shpifjeve të Dick Martyt.

“Është një detyrim moral ndaj njerëzimit, kemi një borxh për të dëshmuar çdo gjë që është fshehur deri më tani për të mbijetuarit, për familjet e viktimave. Duam të bëjmë edhe një paralajmërim të qartë për të ardhmen. Nuk ka paqe pa drejtësi”.

“Kosova nuk ka pasur asnjë nga dokumentet e krimit deri para pak viteve. Disa vite kemi bashkëjetuar me faktorin ndërkombëtar dhe qeveria jonë s’ka mundur të ketë qasje te këto ngjarje. E tani këtë kohë të fundit njerëzit në Kosovë janë marrë me vetvete, me politikën dhe në njëfarë mënyre e kanë lënë anash një gjë që e rëndon Kosovën, njerëzimin dhe familjet e viktimave”.

“Unë gjatë takimeve të mia gjatë këtyre dy viteve jam ballafaquar gjithmonë me problemin e gjykatës së Hagës dhe në njëfarë mënyrë është dashur të duroj shumë herë edhe fjalë që ndoshta e kanë merituar t’i kundërvihen në mënyrë më arrogante dhe jam përkujdesur që gjithmonë Kosovën ta paraqes ashtu si ka qenë, pra që ne kemi qenë viktimë e një krimi të barabartë. Dhe gjithmonë e kam menduar që ne duhet te përgatisim diçka që t’i tregojmë botës që Kosova ka qenë viktimë e një okupatori dhe luftës së padrejtë”.

“Është dashur që Dick Martyt t’i themi që ka punuar padrejtësisht, sepse ai ka punuar vetëm me një palë, pra vetëm me serbët dhe jam i hidhëruar qëe nuk kemi ndërmarrë asgjë ndaj tij dhe thashethemeve të tij, që ai i ka shkruar diku 90% në Beograd”.