Paralajmërohet shtrenjtim i sërishëm i produkteve, nuk përjashtohen as duhani e alkooli

Kosova është duke u përballur me një rritje të çmimeve për produkte të ndryshme ushqimore. Rritje e madhe është vërejtur tek produktet ushqimore elementare, siç janë buka, vaji, mielli, e shumë të tjera.

Përveç shtrenjtimit të produkteve ushqimore, në Kosovë janë shtrenjtuar edhe derivatet.

Por a pritet ende rritja e çmimeve produkteve ushqimore? A pritet që rritje të ketë edhe për produktet e luksit?

Rreth këtyre dilemave lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e ekonomisë, Mustafë Kadrijaj.

Sipas Kadrijajt, efekti i dominos në ekonomi po e dëshmon rritjen e çmimeve, ku sipas tij duhet një intervenim i shpejtë dhe i shëndoshë nga ana e Qeverisë, përndryshe sipas tij Kosova do të pësojë krizë ekonomike.

“Efekti i dominos në ekonomi është gjithmonë prezent dhe kjo po dëshmohet tanimë edhe kohëve të fundit me rastin e rritjeve të çmimeve, ku secili produkt , si në ushqim, si në tekstil, të furnizimit të derivateve të gjitha këto janë duke u rritur. Duhet të bëhet një ndërhyrje shumë e shpejtë dhe e shëndoshë nga ana e Qeverisë përndryshe ka rrezik që Kosova të ketë një krizë ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve në vend”, u prononcua për lajmi.net Kadrijaj.

Kadriaj u shpreh se ka ftuar një takim të shpejtë që të merret vendimi rreth parandalimit të rritjeve të çmimeve, në të kundërtën ai tha se bizneset “nuk janë shoqata humanitare”, dhe se në këtë rast bizneset do të pësojnë krizë.

“Qeveria ende nuk ka marrë masa për parandalimin e rritjes së çmimeve, masa në nivel të doganave, e po ashtu taksave dhe tatimeve, ose me ndonjë marrëveshje me bizneset të cilat e trajtojnë mallrat dhe shërbimet. Unë kam ftuar një takim sa më të shpejtë që të merren vendime, përndryshe bizneset janë të prirura dhe në fakt janë shumë të natyrshme pasi ato e kanë përmend që nuk janë shoqata humanitare por organizata që pretendojn me përfitu sa më shumë. Në këtë rast Qeveria duhet të bie në një ujdi me bizneset, përndryshe Kosova do të kalojë në një krizë ekonomike”, tha ndër të tjera ai.

E sa i përket rritjes në sektorin e lluksit, Kadrijaj nuk e sheh shumë problematike madje ai shprehet se rritja në këtë sektor ndihmon ekonominë, si dhe sipas tij qytetari është i ndikuar në pjesën e konsumit dhe të veshmbathjes.

“Besoj që në sektorin e luksit nuk do të ketë problem edhe nëse ka rritje, sepse në pjesën e luksit hynë alkooli dhe duhani apo diçka e ngjajshme, që në nfakt e ndihmon ekonominë. Qytetari dhe masa e madhe nuk ndikohen nga ana e luksit pasi shumica e qytetarëve janë të drejtuar në pjesën e konsumit dhe pjesën e veshmbathjes në nivel të mesëm të furnizimit”, tha eksperti i ekonomisë.

Sipas Kadrijajt, rritja e çmimeve të produkteve të luksit, ku bënë pjesë duhani, alkooli e të tjera, i takojnë shtresës së lartë, dhe sipas tij edhe shtetet kapitaliste pjesën e luksit e kanë të kushtueshme.

“Ndërsa pjesa e lluksit është për shtresën e lartë, shtetet kapitaliste dhe perëndimore pjesën e lluksit e kanë të lartë”, ka thënë ai.

Ai u shpreh gjithashtu i shqetësuar në rritjen e çmimit të derivateve, pjesën e konsumit si dhe shërbimet komunale të cilat pritet të pësojnë rritje.

“Do të isha shqetësuar më shumë për pjesën e konsumit, gjithashtu furnizimi me derivate, po ashtu edhe shërbimi komunal siç janë paralajmëruar rritja e çmimit të mbeturinave dhe ujit, kështu që kjo e dikton rritjen e çmimeve të secilit biznes”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq Agim Shahini nga Agjencia Kosovare e Bizneseve, për lajmi.net ka sqaruar se rritja e çmimit të produkteve bazike po ndodhë nga fakti që tregu i Kosovës varet nga importi.

“Meqë tregu i Kosovës varet nga importet dhe problemi është shqetësimi i ngritjeve të çmimeve të produkteve bazike, dhe ato bazike kanë shënuar dhe po shënojnë ngritje të vazhdueshme, dhe kjo është një shqetësimet më të madhe që po i prek qyetarët e vendit’, ka thënë për lajmi.net Shahini.

Sipas Shahinit, produktet do të pësojnë ende rritje të çmimeve.

“Natyrisht që do të ketë rritje të çmimeve të të gjitha produkteve, për shkak që ka një inflacion diku mbi pesë përqind dhe kjo është një realitet që po ndodhë”, është shprehur ai.

Ndërkohë rreth rritjes së produkteve të luksit apo jo-esenciale, edhe Shahini mendon që janë produkte që i takojnë një kategorie të njerëzve dhe sipas tij askush nuk po diskuton ngritjen e tyre.

“Kurse sa i përket produkteve të cilat janë produkte me standard, siç është duhani, alkooli, janë produkte të cilat i kanë një kategori të njerzve dhe askush nuk është duke diskutuar ngritjen e çmimit të alkoolit, duhanit dhe produkteve që kanë kategorinë e standardizuara”, ka përfunduar Shahini.

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore, si dhe të gjitha rritjet tjera, janë konsideruar si kosto të papërballueshme, dhe në mënyrë që kjo situatë të evitohet, shumë njohës të ekonomisë kanë sugjeruar që Kosova të krijojë kujdesin social të qytetarëve.

Qeveria e Kosovës ndërkaq ka paralajmëruar një sër masash që sipas tyre do t’i dalin në ndihmë qytetarëve.