Pata vendosur të votojë për ndryshim, por nuk më lënë vijat e kuqe

Shkruan Isa Hajrizi

Vijat e kuqe – ofertë e disa partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit.

Si askund tjetër në vendet demokratike, kjo ndodh vetëm në Kosovë, në vend të ofertave serioze dhe joshëse për elektoratin, promovohen vijat e kuqe si oferta politike.

LDK, VV, PSD i vejnë vijë të kuqe koalicionit me PDK-në.

Ajo që më së shumti më brengos mua dhe qindra qytetarë dhe bashkëluftëtarë me të cilët bisedojmë në prag të fushatës zgjedhore, është oferta politike zgjedhore e disa subjekteve, ofertë e padëgjuar ndonjëherë në praktikat elektorale të vendeve demokratike, “vijë të kuqe koalicionit me PDK-në”.

Tani kam disa pyetje dhe komente për liderët e këtyre subjekteve:

1. Pse silleni kështu me qytetarët tuaj, a e meritojnë këtë qytetarët?

2. A jeni ju shumë të pastër sa të vendosni vija të kuqe për të tjerët?

3. Çfarë standardesh duhet plotësuar një subjekt që ju më të mirët e këtij vendi t’i hiqni ato vija të kuqe?

4. Si ka mundësi ta lëçitni një subjekt politik në këtë mënyrë ju kandidatë pretendent për kryeministër, e që vazhdimisht e promovoni zhvillimin e demokracisë, ndërsa veproni me mentalitetin fisnor të “lëçitjes”?

5. A i përmbush nevojat dhe a i zgjidh hallet e shumta të qytetarëve oferta juaj e vijave të kuqe?

6. A e ndalon kjo ofertë zbrazjen e Kosovës nga rinia?

7. A e ruan gjakun dhe sakrificën e popullit për liri?

8. A e qon në vend amanetin e dëshmorëve dhe luftën e UÇK-së?

9. A jeni të vetëdijshëm ju liderë mirë se kjo nuk është ofertë politike, por është një normë mesjetare e izolimit që ju po e zbatoni ndaj një subjekti politik, e që është një veprim anti-demokratik dhe kundër vullnetit të qytetarëve?

10. Ju që keni zgjedhur këtë ofertë, nuk jeni të gatshëm të bëni thirrje për unitet, e as të bëni konsensus për interesa shtetërore.

11. Oferta e vijave të kuqe është thirrje për izolim, përçarje, dhe dobësim të faktorit politik shqiptar karshi Serbisë.

12. Ju mund t’i bëni vija të kuqe një subjekti politik, por nuk mund t’i vendosni vija të kuqe vullnetit të qytetarëve.

13. A e dini se vija e kuqe ndaj një subjekti politik, cilido çoftë ai, është vijë e kuqe ndaj vullnetit të asaj pjese të qytetarëve që e mbështesin atë subjekt. Pra, ju po dilni kundër vullnetit të qytetarëve dhe po e dobësoni demokracinë.

14. Stop këtij marifeti se bëtë “nam” para botës demokratike! Vullneti i qytetarëve buron nga shpirti i tyre dhe shndërrohet në votë të lirë për subjektin e përzgjedhur.

15. Meqë ju të apostrofuarit e vijave të kuqe vazhdimisht e promovoni vullnetin e qytetarëve, por e përbuzni atë pa mëshirë, unë po e deklaroj haptas, se pata vendosur të votojë për ndryshim kësaj radhe, por vijat tuaja të kuqe më rreshtuan mua dhe qindra bashkëluftëtar të mi ta mbështesim fuqishëm kandidatin e PDK-së, z. Kadri Veseli, pikërisht pse ju mbani lapsin në dorë dhe ngjyrën e kuqe në gotë, ndërsa ai po ju thërret për unitet dhe bashkëpunim.

16. Unë ngjyrën e kuqe e nxora njëherë nga koka ime, atëherë kur mora plumbin në kokë në përballje me armikun, për të sjellë pavarësinë, lirinë dhe demokracinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa vija të kuqe.

17. E dini apo jo, vijat me ngjyrë të kuqe ishin famëkeqe për intelektualët dhe atdhetarët shqiptarë përgjatë rrëgjimit serb.

18. Ju do të merrni mbështetje të qytetarëve vetëm atëherë kur nuk keni vija të kuqe në platformat tuaja politike, dhe të largoheni nga ky dok fisnor. Kur të ndërtoni koncepte të shëndosha, të dilni me ofertë dhe program që i përmbush nevojat e qytetarëve. Kur përçarjen e zëvendësoni me bashkëpunim, kur në qendër dhe prioritet e keni qytetarin, atëherë edhe unë do ju përkrah fuqishëm, se nuk kam inat me ju, por e keni devalvuar kulturën politike duke futur si normë një mentalitet primitiv politik.

Sinqerisht:
Isa Hajrizi, invalid i Luftës së UÇK-së
Ish Komandant i Policisë Ushtarake, Zona Operative e Shalës.