PDK mbështet takimin e 27 qershorit në Shtëpi të Bardhë: Ku është Amerika duhet të jemi edhe ne

Partia Demokratike e Kosovës mbështet takimin e 27 qershorit që do të mbahet në Washington me ftesë të emisarit të Donald Trump, Richard Grenell.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar zëdhënësi i partisë që drejton Kadri Veseli, duke thënë se “aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jenë edhe institucionet e Republikës së Kosovës’.

Avni Bytyçi ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë vendi duhet të përfaqësohet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shtuar se nuk duhet ikur përgjegjësisë siç kishte bërë lideri i VV’së, Albin Kurti.

“Sa i përket ftesës për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i njohur dhe është bërë i ditur në vazhdimësi nga kryetari z. Kadri Veseli. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi deri sot. Aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë Republika e Kosovës dhe institucionet ta përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë. E kanë për detyrë ti mbrojnë interesat e vendit dhe nuk duhet ti ikin përgjegjësisë dhe bashkëpunimit me Amerikën sikurse veproi ish qeveria Kurti”, ka thënë zëdhënësi i PDK’së.

Ky qëndrim i PDK’së pro takimit në Washington vjen pas thirrjeve të shumta të kreut të Qeverisë, Avdullah Hoti, për krijimin e një uniteti sa më të gjerë sa i përket çështjes së dialogut me Serbinë.