Petkoviq: Formimi i Asociacionit është obligim e jo dëshirë e Kurtit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk është vetëm dëshirë, por nevojë e të gjithë serbëve në Kosovë.

Këto deklarata Petoviqi i bëri më 9 dhjetor, pasi paraprakisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se nëse Serbia dëshiron që të formohet Asociacioni, duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është çështje e dëshirës së Albin Kurtit, por obligim i Prishtinës që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Bashkimi Evropian garantoi zbatimin e kësaj marrëveshjeje të nënshkruar. Fakti që Kurti mburret se ai është kundërshtari më i madh i Asociacionit është çështje për komunitetin ndërkombëtar, por edhe për ekspertët nga fusha të tjera, jashtë politikës”, tha Petkoviq.

Gjatë një seance plenare më 9 dhjetor, Kurti tha se në përgjithësi, në dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, palët kanë arritur 33 marrëveshje. Ai tha se nuk mund të lejojë që Asociacioni të shndërrohet si marrëveshja më me prioritet.

“Nëse e do Asociacionin fort, atëherë e njeh pavarësinë. Por, ata po thonë për çdo javë se nuk do ta njohin kurrë. Ky fakt tregon se ata nuk e duan Asociacionin. Neve nuk na duhet, ata nuk e duan, nuk kemi pse i japim kaq shumë prioritet”, tha Kurti.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të Marrëveshjes së parë të Brukselit, më 2013 arritën pajtim për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy vjet më vonë, u arrit edhe Marrëveshja mbi parimet për themelimin e këtij asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se disa pika të marrëveshjes nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe shtoi se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.

Serbia insiston që Asociacioni të formohet, por Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.