Petkoviq: Po nisim formimin e Asociacionit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës do të fillojnë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë një konference për media në Serbi, ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse autoritetet e Kosovës nuk heqin dorë nga synimi i tyre që nga 1 gushti të nisin zbatimin e vendimeve për targa të automjeteve dhe letërnjoftimet serbe.

“Serbët nuk kanë çfarë të presin. Nëse ata mund të sillen si të duan, atëherë është normale që serbët të nisin krijimin e Asociacionit. Kanë kaluar dhjetë vjet dhe ata duhet të sigurojnë të drejtat e tyre”, tha Petkoviq.

I pyetur që të jap detaje lidhur me formimin e Asociacionit, Petkoviq u përgjigj:

“Ne do t’iu informojmë me kohë për çdo gjë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja. Më 2015, palët po ashtu arritën Marrëveshjen mbi parimet e krijimit të këtij Asociacioni, por zbatimi i marrëveshjes ka ngecur. Në të njëjtin vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte thënë se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës insiston se nuk mund të ketë asociacion njëetnik, ndërkaq Serbia vazhdimisht ka insistuar në formimin e tij.

Në konferencën më 30 korrik, Petkoviq tha se Asociacioni do të mundësonte të drejta kolektive dhe individuale për serbët në Kosovë.

Deklaratat e Petkoviq vijnë teksa më 1 gusht pritet të nisë riregjistrimi i makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës dhe që lëshohen nga Serbia. Këto targa nga Prishtina zyrtare konsiderohen të jashtëligjshme.

Procesi i riregjistrimit pritet të zgjasë deri më 30 shtator.

Po ashtu më 1 gusht, të gjithë qytetarët që do të hyjnë nga territori i Serbisë në Kosovë, do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje. Sipas autoriteteve në Kosovë, praktikë të njëjtë Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Petkoviq tha se vendimet e Qeverisë së Kosovës, sa i përket riregjistrimit të makinave dhe dokumentit për hyrje-dalje, janë “joligjore”.

Ai tha se sa i përket letërnjoftimeve, autoritetet në Kosovë po i referohen nenit 3 të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të arritur në kuadër të dialogut.

Sipas këtij neni, “palët duhet të zbatojnë një sistem ku letërnjoftimeve do t’iu bashkëngjiten dokumente ku shkruhet ‘hyrje-dalje’ për banorët e palës tjetër që dëshirojnë të udhëtojnë transit për në një shtet të tretë”.

Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.