Pika të përbashkëta të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës

Ngritja e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Kosovës do të sjellë lehtësi kalimi në pikat kufitare për mjetet dhe individët.

Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, shqyrtoi dhe miratoi në seancën e sotme projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”.

E pranishme në komision për prezantimin e projektligjit ishte zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda.

Voda u shpreh në komision se miratimi i këtij projektligji pritet të sjellë përfitime të përbashkëta për të dy shtetet fqinje, Shqipërinë dhe Kosovën. Forma të aplikimit të kësaj marrëveshjeje, sipas Vodës, janë aplikuar më parë në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me Malin e Zi.

Kryerja e kontrolleve të përbashkëta, sipas zëvendësministres, do të sjellë lehtësi kalimi në pikat kufitare për mjetet dhe individët. Vetëm në 9 muajt e parë të vitit 2019, në pikën kufitare të Morinës janë përpunuar më tepër se 4.5 milionë individë dhe më tepër se 1.7 milionë mjete.

Voda bëri të qartë synimin e marrëveshjes për të qenë e aplikueshme edhe në pikat e tjera kufitare të kalimit për në Kosovë. Ajo shprehu gjithashtu gatishmërinë e Shqipërisë për zbatimin e këtij modeli edhe me fqinjin lindor, Maqedoninë e Veriut dhe raportoi për komisionin teknikalitetet që e kanë pamundësuar zbatimin e saj në rastin e pikave të kalimit kufitar me Greqinë, pavarësisht gatishmërisë dhe vullnetit të mirë dypalësh.

Pika kufitare e Morinës, siç u bë me dije nga zëvendësministrja Voda, ka qenë së fundmi objekt i një investimi të Komisionit Evropian, çka ka mundësuar standard më të lartë pune për stafet punonjëse dhe standard më të lartë shërbimi për qytetarët. Komisioni, në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve për çështjen, e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Në seancën e sotme, gjithashtu, u zhvillua seanca dëgjimore për emërimin në postin e kreut të misionit diplomatik të Gazmend Barbullushi, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë si dhe Principatën e Andorrës.

Në seancë mori pjesë vetë Barbullushi dhe Sokol Dedja, zëvendësministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Barbullushi bëri një prezantim të objektivave dhe synimeve të tij profesionale si kandidat./atsh