Plumbat rrëzojnë përtokë 40-vjeçarin në Shkodër, gruaja i shkon në ndihmë

Ky që shihni në këto pamje është Aleksandër Curaj, 40-vjeçari i cili mëngjesin e kësaj të hëne mbeti i plagosur me armë zjarri në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në zonën e “Dollarit”.

Gazetarja Emi Kalaja raporton se autori, i cili dyshohet se lëvizte me biçikletë, e qëlloi 40-vjeçarin të paktën 4 herë, teksa ai ndodhej në këtë zonë parkimi.

Curaj bëri disa hapa, më pas u rrëzua në trotuar. Në ndihmë të tij shkoi fillimisht një grua endacake që ndodhej aty pranë. Më pas policia rrethoi zonën dhe i plagosuri u dërgua me ambulancë në spital.

Për gazetarët, dëshmitarja tha se 40-vjeçari kishte marrë plagë në bark, ndërsa deklaroi se nuk kishte mundur ta dallonte autorin e ngjarjes.

Shkaqet e kësaj plagosjeje nuk dihen ende. Në një njoftim për mediat policia tha se po punon për kapjen e autorit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 09:00, në vendin e quajtur “Dollari”, është plagosur me armë zjarri Aleksandër Curaj, 40 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe po merr ndimën mjekësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po kontrollojnë zonën, për kapjen e autorit. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Ndërkohë, janë ngritur pika të shumta kontrolli. Forcat e Sigurisë Kombëtare po vijojnë krehjen e zonës, për kapjen e autorit, i cili dyshohet se është larguar në brendësi të lagjeve të qytetit”, tha policia e Shkodrës./tvklan.al

VIDEO