Po festonin daljen e shokut nga burgu, arrestohen dy vëllezërit e shumëkërkuar në Dibër

Policia e Dibrës ka vënë në pranga dy vëllezër, Kalosh Kaca 36-vjeç dhe Artur Kaca 28-vjeç të cilët ishin shpallur në kërkim për një ngjarje të ndodhur në prill të 2018 ku së bashku me vëllain tjetër Rr. Kaca, (i arrestuar ditën e ngjarjes nga policia), kanë plagosur me breshëri automatiku Erion Çerën, 24 vjeç, për motive hakmarrjeje.

Operacioni ‘Tartaj’ për kapjen e dy vëllezërve është organizuar mëngjesin e sotëm, ku ata po festonin daljen e një mikut të tyre nga burgu.

Të akuzuarit do të përballen me akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentative”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Por si ndodhi ngjarja?

Më datë 06.04.2018, tre vëllezër kanë shkuar në banesën e një 24-vjeçari, Erjon Çera dhe e kanë qëlluar me armë, duke e plagosur rëndë, ndërsa shkak dyshohet të ketë qenë një konflikt për kullotat. Ngjarja është shënuar në fshatin Nezhaj të Dibrës.