Policia jep detaje për aksidentin e rëndë ku si pasojë mbeti një i vdekur dhe një i lënduar

Një person ka vdekur dhe një tjetër ka pësuar lëndime të rënda trupore pas një aksidenti të rëndë që ndodhi sot në Ferizaj, më saktësisht në fshatin Babush.

Rasti është konfirmuar për Gazetën Metro nga zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 18:00 dhe dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij, ku më pas është rrokullisur.

“Në ora 18:38 në autostradën “Arbën Xhaferi” afër fshatit Babush (Ferizaj) është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet. Dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është rrokullisur, një person tjetër po ashtu raportohet se ka pësuar lëndime të rënda trupore. Policia po merret me rastin”, tha ai.

Tutje Hoxha ka theksuar se javëve të fundit është shtuar numri i aksidenteve në Kosovë, kjo për shkak të mungesës së vëmendjes.

“Rastet e aksidenteve, kryesisht vetaksidenteve javën që po e lëmë pas kanë rezultuar me pasoja fatale, prandaj edhe një herë kërkojmë që drejtuesit e automjeteve të kenë vëmendje të shtuar dhe vigjilencë, sepse përveç rrezikimit të vetës po rrezikojnë edhe pjesëmarrsit tjerë në trafik”, tha Hoxha.

Në fund, ai theksoi se policia do të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që rrezikojnë sigurinë e pergjithshme në trafik dhe do të ketë zero tolerancë.