Presidentja Osmani në prill dhe maj do të vizitojë ShBA-në

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë muaj dhe në maj pritet të shkojë për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela ka thënë në Klan Kosova se Osmani do të zhvillojë takime të niveleve të ndryshme.

“Presidentja i ka dyert e hapura në ShBA, në muajin prill dhe maj do të ketë vizitë në SHBA, do të ketë takime të niveleve të ndryshme, qoftë në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin Amerikan. Ajo ka ftesë nga zyrtarë të ndryshëm të Shtëpisë së Bardhë që të ketë takime me ata. Disa në Shtëpinë e Bardhë disa në Kongres”, ka thënë Vela.

Ai ka folur edhe për fillimin e zbatimit të marrëveshjes së Kosovës me MCC-në.

“Procesi teknik i arritjes së marrëveshjes me MCC-në për programin Compact, procesi negociator fillon në javën e parë të majit, gjatë kësaj periudhe do të bëhet finalizimi i paketës së programit dhe financimi. Nënshkrimi i marrëveshjes pritet të ndodh ose nga fundi i verës apo nga mesi i verës, do të varet nga kjo dinamikë”, ka thënë Vela.