Prizren: Nuk festojmë por do të protestojmë

Iniciativa e grave dhe vajzave të Prizrenit, “FEMaktiv” ka thirrur marsh protestues për të premten në sheshin “Shadërvan” me titullin “8 Marshi”.

“8 marsi në vargun e festave kalendarike shënon ditën ndërkombëtare të gruas. Kjo datë është personifikimi i luftës së grave (fillimisht) të New York për barazi në vitin 1909. Më shumë se njëqind vjet më vonë, lufta e grave për më shumë të drejta si dhe mizogjinia në rritje ka transformuar ditën e përkujtimit të sakrificave të grave në thirrje për protestë. Prizreni do të protestojë për 8 mars!

Të shtyrë nga pozita e pafavorshme në të cilën gjindet gruaja në Kosovë, si e pa pronë, e pa zë, e ngacmuar seksualisht, e paragjykuar, e dhunuar dhe e vrarë, #FEMaktiv fton burrat dhe gratë, të rinjtë e të rejat, që të bashkohen në marshin tonë protestues me 8 mars. Sheshi Shadërvan do të jetë vend-grumbullimi i shpresës së të ardhmes së vendit e shoqërisë sonë”.

Prizreni marshon për 8 mars!