Produktet bujqësore shqiptare, plotësisht të shëndetshme

“Produktet tona bujqësore janë plotësisht të shëndetshme”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama theksoi se “produktet tona bujqësore ndryshe nga çfarë përflitet padrejtësisht shpesh herë ose ndonjëherë del papërgjegjshmërisht edhe në ekranet televizive për të bërë sensacion, janë plotësisht të shëndetshme”.

Duke folur për disa ndryshime që janë të nevojshme në Kodin Penal, Kryeministri tha se “ndryshimet prekin aspekte të rëndësishme në mbarëvajtjen e jetës së vendit në garantimin e lirive dhe të drejtave të çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë duke filluar nga siguria ushqimore”.

Sipas tij, e vërteta është se kemi bërë jo pak progres në drejtim të sigurisë ushqimore.

“Mjafton vetëm një fakt për të vërtetuar se produktet bujqësore janë plotësisht të shëndetshme. Në 300 mijë tonë produkte të eksportuara në Bashkimin Europian asnjë kamion i vetëm nuk është kthyer për shkak të cenimit të standardeve europiane të sigurisë ushqimore”, – nënvizoi Rama.

Por, vijoi ai, ka fatkeqësisht individë dhe subjekte që për fitimet e tyre kryejnë krime kundër shëndetit të njeriut.

Ia kanë hedhur 30 vjet me gjoba që s’janë asgjë krahasuar me fitimet e tyre, por kjo s’mund të vazhdojë dhe s’do të vazhdojë kështu.

“Këtyre forcave të së keqes që guxojnë të kërcënojnë shëndetin e fëmijëve tanë dhe atyre që në këtë vend jetojnë dhe konsumojnë ushqim duhet t’u rezervojmë ndëshkimin më shembullor, të heqjes së lirisë së aktivitetit dhe lirisë individuale gjithashtu”, – tha Rama.