Projektligji për rimëkëmbje ekonomike për herë të gjashtë në Kuvend

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë sot dy seanca plenare, ku në rendin e ditës për diskutim do të jenë pikat e papërfunduar nga seancat plenare të mbajtura më 7, 13, 14 gusht dhe 17, 18, 21, 25 e 28 shtator 2020, dhe më pas do të mbahet një seancë e re.

Në seancën e parë para deputetëve për votim do të jetë Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19, Propozim-rezoluta nga raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti në lidhje me dialogun, Propozim-rezoluta nga interpelanca e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Serbisë në territorin e Kosovës, përkatësisht në Karaçevë të Kamenicës dhe votimi në parim i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”.