Prokurori Special: Në mesin e të arrestuarve ka eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës

Prokuroria Speciale ka mbajtur një konferencë për media lidhur me aksionin e policisë në veri të Kosovës.

Prokurori Special, Sylë Hoxha ka thënë se për një periudhë kohorë Prokuroria Speciale ka dëgjuar edhe një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve dhe i ka grumbulluar faktet për veprat penale.

“Prokuroria Speciale pasi i grumbulloi provat ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kontroll nëpër shtëpitë dhe lokalet përcjellëse për të gjithë këta të dyshuar”.

Ai ka theksuar se në mesin e të arrestuarve ka edhe zyrtarë shtetërorë.

“Në mesin e tyre kemi eprorë dhe zyrtarë të policisë së Kosovës, pjesëtarë të nacionalitet serbë, shqiptarë e boshnjakë, të dyshuar për kontrabandë dhe vepra tjera penale”, ka thënë ai.Hoxha ka shtuar se gjatë aksionit ka pas edhe vështirësi, me ç’rast janë lënduar edhe disa policë e qytetarë.