PSD paralajmëron aksion të përbashkët opozitar kundër shtrenjtimit të rrymës

Kryetari i Pasrtisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, pas takimit që ka pasur me partinë opozitare parlamentare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partitë e tjera jo parlamentare Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate, si dhe me sindikatën e shëndetësisë ka theksuar se në takim ka pasur një dakordim të përgjithshëm për një aksion të përbashkët opozitar kundër shtrenjtimit të rrymës.

“Ka dakordim të përgjithshëm për një aksion të përbashkët opozitar me partitë jo parlamentar dhe me njërin parti parlamentare e cila na u përgjigj në thirrjen tonë si dhe sindikatën e shëndetësisë”, ka thënë Molliqaj.

“Pra një zëri të gjithë jemi pajtuar që duhet të kemi një veprim të përbashkët përkatësisht aksion opozitar, kundër vendimit që formalisht është e ZRRE-së dhe përmbajtësisht është e Qeverisë”, ka shtuar ai.

Megjithatë Molliqaj, ka theksuar se ende nuk dihet se kur do ta organizojnë protestën në fjalë dhe cila do të jetë modaliteti i saj.

“Kemi pasur pajtim po ashtu një zëri që duhet të ketë protestë qytetare të përbashkët edhe sa ma shpejtë që është e mundshme, por i kemi dy ditë kohë të konsultohemi secili në organet tona qofshin ato sindikata apo parti politike për modalitetin datën dhe kohën e saktë të protestës”, ka shtuar ai.

Ai madje ka theksuar se gjatë takimit kanë rënë dakord se mos publikimi i vendimit për shtrenjtimin e rrymës nga ZRRE është e pa drejtë.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi nga AAK ka thënë se partia ka mbështetur iniciativën për të kundërshtuar çmimin e rrymës. Ai tha se do t’i përdorin të gjitha instrumentet, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi në mbështetje të iniciativave të kundërshtimit e rritjes së çmimit të energjisë. Do t’i përdorim të gjitha instrumentet demokratike për ta ndalur këtë rritje që e ka bërë Qeveria përmes ZRRE-së. Të gjitha çmimet janë rritur të produkteve në Kosovë dhe nuk ka rritje të pagave dhe gjendja sociale ekonomike në Kosovë është duke u rënduar. Kur e përmenda të gjithë instrumentet, nënkuptohet edhe angazhimi ynë në dërgimin në Gjykatën Kushtetuese sepse mendojmë se është shkelur interesi qytetarëve. Nëse Qeveria nuk është për angazhimin për interes qytetar, i takon opozitës, qytetarëve që të reagojnë”, tha Isufi.

Kurse, Endrit Shala i Nismës ka potencuar se janë diskutuar tema të ndryshme në takim dhe se subjektet në fjalë do të bashkëpunojnë kundër shtrenjtimit të energjisë.

“Nga sot do të fillojë një bashkëpunim i të gjitha subjekteve politike që ishin në takim”, ka thënë Shala.

Të premten e 11 shkurtit, ftesës së Partisë Social Demokrate për takim në lidhje me kundërshtimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e rrymës i janë përgjigjur vetëm përfaqësuesit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Nisma Socialdemokrate.

Në këtë takim munguan dy partitë më të mëdha opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

/Albanianpost.com