Pse duhet të përbetohet ministrja për mosndërhyrje në zgjedhjen e rektorit?! A ka gjasë për mosndërhyrje?

Deklaratë e subjektit politik Lëvizja për Bashkim

Pse duhet të përbetohet ministrja për mosndërhyrje në zgjedhjen e
rektorit?! A ka gjasë për mosndërhyrje?

Për të kuptuar esencën e përbetimit të stërgjatë të ministres së arsimit për mosndërhyrje në procesin e zgjedhjes së rektorit dhe për gjasat e mosndërhyrjes qeveritare në këtë proces, duhet shikuar arsyet që çuan në shkarkim të ish-rektorit dhe në rrethanat aktuale në Universitetin e Prishtinës (UP).

E para, ministria e arsimit, e cila mezi e filloi vitin shkollor dhe ende e ka rrëmujë atë, nuk do të duhej që me anë të anëtarëve të vet në Këshillin drejtues të UP-së, edhe në fillim të vitit akademik, në universitetin më të madh në vend, të shkaktojë furtunë duke shkarkuar udhëheqjen e tij.

E dyta, dihet botërisht se kjo qeveri nuk ka program të qartë për arsimin, aq më pak për arsimin e lartë.

E treta, në mungesë të programit për arsim, kuptohet se shkarkimi i ish-rektorit është bërë me një program tjetër, me programin për uzurpim. Për uzurpim nga ana e qeverisë edhe të një pozite të lartë, e cila krahasohet me pozitë ministri.

E katërta, ministrja është mirë të shpjegojë edhe dy tentativat e mëparshme të saj për shkarkim të ish-rektorit të UP-së dhe me zëvendësim të tij me emra të propozuar nga klani i ngushtë i partisë në pushtet, i njohur tashmë për nepotizëm.

E pesta, tanimë ndërhyrja në procesin e përzgjedhjes së rektorit të ri ka ndodhur. Sepse:

– Akti i shkarkimit të ish-rektori me program uzurpimi përvijon edhe kandidaturat e ardhshme.

– Ndonjë kandidaturë “jo e përshtatshme”, eliminohet nga sitat që ka në dorë rektorja aktuale dhe Këshilli drejtues i UP-së, të cilët, tashmë, kanë marrë detyrat para se të përbetohet ministrja dhe nga instancat mbi ministren.

Si përfundim, tashmë shihet qartazi se ministrja ka shkruar një letër sa për sy e faqe, në frymën origjinale të partisë në pushtet: përbetohu në ligj, shajë të tjerët dhe kthehu vepro për interes partiak. Pra, më e ndershme do të ishte të thuhet, se edhe “ministri” i UP-së i takon partisë në pushtet. Mirëpo, në këtë qeveri, vetëm për ndershmëri nuk ka vend.

Lëvizja për Bashkim
Prishtinë, 29.10.2022

Lexo edhe:

https://www.fokusi.info/nagavci-rektorja-rektori-i-ri-ne-kohen-time-si-ministre-do-te-jete-nje-zgjedhje-objektive/lajme/