Qeveria dhuron 17 apartamente në pronësi të Bashkisë së Tiranës familjarëve të viktimave të tërmetit

Qeveria shqiptare do të dhurojë 17 apartamente familjarëve të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Projektvendimi është depozituar në Kuvend dhe pritet të miratohet në seancën e radhës në Parlament.

Siç shihet në dokumentin që Shqiptarja.com disponon, këto 17 apartamente janë në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe do t’u dhurohen 17 familjeve që kanë mbetur në qiell të hapur si pasojë e tërmetit të 7 ditëve më parë.

Ndër të tjera, mësohet se të gjitha shpenzimet e mobilimit dhe të pajisjeve elektroshtëpiake për këto apartamente do mbulohen nga buxheti i shtetit dhe do të jenë punonjës të Bashkisë që do të bëjnë transferimin e këtyre familjeve në banesat e reja në kryeqytet.