Qeveria e paaftë, të këndellet urgjentisht dhe ta kthejë normalitetin në veri

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se përpjekja e grupeve kriminale serbe që të mësyjnë kufirin e Republikës së Kosovës me qëllim që ta paraqesin shtetin tonë si shtet të cenueshëm nga jashtë, është në sinkron me përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur një realitet të ri për komunat veriore, raporton Fokusi.info.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk mund të tolerohen përpjekjet kriminale që synojnë krijimin e një realiteti të ri brenda Kosovës, teksa ka shtuar se as Qeveria Kurti nuk po tregohet e aftë që këtyre ngjarjeve t’i qaset me një strategji kuptimplotë e të koordinuar.

Tahiri ka thënë se Qeveria duhet të këndellet urgjentisht dhe ta rimarrë në dorë agjendën e normalitetit në komunat veriore të Kosovës.

Postimi i tij i plotë:

Përpjekja e grupeve kriminale serbe që të mësyjnë kufirin e Republikës së Kosovës me qëllim që ta paraqesin shtetin tonë si shtet të cenueshëm nga jashtë, është në sinkron me përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur një realitet të ri për komunat veriore, një rikthim të asaj pjese në oazë të krimit të organizuar për kriminelët dhe në një levë politike për ta shpërqendruar fokusin nga marrëveshja finale për njohje.

Nuk mund të ketë tolerancë për përpjekjet kriminale që synojnë krijimin e një realiteti të ri brenda Kosovës e në kufijtë e saj. Fatkeqësisht, as qeveria Kurti nuk po tregohet e aftë që këtyre ngjarjeve t’i qaset me një strategji kuptimplotë e të koordinuar.

Kjo rrethanë në tentativë për të importuar një cenim të rendit juridik e shtetëror të Kosovës në pikat kufitare e brenda territorit tonë nga ana e grupeve kriminale është e papranueshme. Qeveria duhet të këndellet urgjentisht dhe ta rimarrë në dorë agjendën e normalitetit në komunat veriore të Kosovës.