Qeveria Kurti ia jep një grant ‘5-6 mijë euro’ Sadri Ramabajës

Sadri Ramabaja, i njohur si analist shumë i zëshëm pro partisë në pushtet, Vetëvendosje, përmes Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë, themelues i të cilit edhe është, së fundmi është shpërblyer me një grant nga Kryeministria e Kosovës, respektivisht nga Zyra e Komisionarit për Gjuhë.

Ramabaja për Periskopin ka konfirmuar grantin dhe ai ka treguar se bëhet fjalë për shumë jo fort të madhe monetare, pra diku 5-6 mijë euro…

Në thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financim të OJQ-ve, në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave gjuhësore, fitues ka dalë Instituti i Ramabajës, ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-asamblist i kësaj partie në komunën e Prishtinës, i cili megjithatë vazhdon ta shprehë adhurimin që ka për kryeministrin Albin Kurti në çdo analizë që ofron për publikun nëpër debate televizive, por edhe në llogarinë e tij në Facebook.

Bazuar në dokumentin e publikuar në faqen e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, figuron saktësisht emri i Sadri Ramabajës, si përfitues projekti me Institutin Shqiptar për Gjeopolitikë, i cili shihet se është i regjistruar si OJQ në qershor të vitit të kaluar, ndërsa ka tre themelues: Sadri Ramabajën, Agim Krasniqin e Selim Ibrahimin.

Ky institut kishte aplikuar me projektin “Gjurmime mbi zbatimin e gjuhëve zyrtare në administratën dhe ndërmarrjet publike në Kosovë”.

Në përgjigjen për Periskopin, Ramabaja ka konfirmuar marrjen e grantit, ndërkohë që e ka arsyetuar me shumën e ulët që ka fituar.

”Po kështu më ka njoftuar sekretari, meqenëse shkresën s’e kam marr ende. Jo bre ajo është shumë e vogël, formale, diku 5-6 mijë euro. Për një projekt për të cilin kemi aplikuar, për diku 3 muaj, në të cilin pesë veta do të jenë të angazhuar.”, ka deklaruar ai.

Sadri Ramabaja, si udhëheqës i Institutit në fjalë, ka dhënë detaje tjera nga planifikimi i projektit, duke thënë se ka kohë që s’ka përfituar nga buxheti i shtetit.

‘’Kurrfarë pozite s’kam në Vetëvendosje. Madje unë kam gjashtë vite që asnjë cent nga buxheti i Republikës së Kosovës nuk kam marr dhe këto nuk janë për mua personalisht, por për një projekt ku janë të angazhuar pesë veta, secili ekspert i fushës, në krye të cilëve është doktor Kuqi. Por më në detaje për këtë projekt, presim të startojmë në janar, diku deri kah fundi i marsit. Ju tregon sekretari sepse unë nuk jam shumë i implikuar.”, shtoi Ramabaja për Periskopin.

 

Në mesin e shtatë përfituesve, Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë është listuar i treti me 59.2 pikë.

Vendimi është marrë më 1 dhjetor 2022 nga Komisioni vlerësues prej pesë anëtarëve, ndërsa shuma e ndarë monetare ende nuk është bërë e ditur zyrtarisht.