Qeveria nuk di asgjë për takimin Thaçi-Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

Para pak minutash ka përfunduar takimi mes presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë.

Por, për këtë takim të presidentit Thaçi dhe homologut të tij serb nuk di asgjë Qeveria e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën zëvendëskryeministri Haki Abazi.

“Lajmi për takimin është vetëm përmes mediave. Unë e kam thënë disa herë në ditët e fundit, edhe sot në Kuvendin e Kosovës, që presidenti është duke vepruar nga një hapësirë jotransparente dhe në mungesë të plotë të koordinimit me institucionet e Kosovës”.

“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion se çfarë është agjenda, për çfarë është duke u diskutuar dhe cilat janë pozicionet që presidenti i ka paraqitur në këto takime në Washington”.

“Sigurisht që vlen të theksohet që kryeministri [Albin Kurti] i ka bërë ftesë disa herë presidentit [Hashim Thaçi] për akordim të politikës së jashtme, pozicioneve në dialogun me Serbinë dhe formatin që dialogu duhet të vazhdojë, por kjo asnjëherë nuk është respektuar. Me tejkalimin e të gjitha kompetencave kushtetuese, presidenti është duke vazhduar me agjendën e tij”.