QUINT-i del me reagim ndaj Qeverisë për Klan Kosovën: Thellësisht të shqetësuar, vendim që do të ketë pasoja

**Deklaratë e QUINT dhe BE në Kosovë për vendimin e 28 korrikut të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me Licencën e Biznesit të Klan Kosovës**

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e sotëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës.

Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent për zgjidhjen e situatës”.