Ragmi Mustafa ka marrë përkohësisht drejtimin e Preshevës

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa do të jetë kryetar i përkohshëm në Komunën e Preshevës, i cili do ta drejtoj komunën deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat priten të mbahen me 2 qershor.

Ragmi Mustafa ka konfirmuar për RTKlive se është emrurar kryetar i Komunës së Preshevës pas largimit të Shqiprim Arifit.

Mustafa ka theksuar se Arifi nuk është shkarkuar nga askush, duke thënë se ai tash e nëntë muaj nuk e kishte shumicën në Kuvendin Komunal të Preshevës.

“Zoti Arifi nuk është shkarkuar nga askush. Ai ka plot nëntë muaj që menaxhon komunën Preshevë pa Kuvend Komunal. Sepse për këtë kohë para nëntë muaj ka humbur shumicën në Kuvendin Komunal Preshevë. Sipas ligjit në Serbi, nëse tre muaj nuk ka mbahet seancë Kuvendi Komunal atëherë qeveria serbe shpërndan Kuvendin Komunal. Me këtë akt shpërndarje të Kuvendit komunal bie dhe ekzekutivi përkatësisht kryetari i komunës. Mirëpo, qeveria serbe këtë nuk e bëri që plot gjashtë muaj. Kryetari i komunës për këtë kohë nëntë mujore vet ka qep e vet ka prerë sepse prej kohësh ka qenë i ledhatuari i qeverisë serbe”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, pas presionit të liderit të opozitës në Beograd dhe dy ambasadorëve, i SHBA-së dhe i OSBE-së për shpalljen e zgjedhjeve lokale bashkë me ato të qytetit të Beogradit, qeveria serbe ka qenë e detyruar të shpërndaj edhe Kuvendin Komunal Preshevë. Me këtë, sipas Mustafës, detyrimisht bie edhe kryetari i komunës.

“Për humbjen e shumicës në Kuvendin Komunal nuk mban faj opozita, aq më parë Partia Demokratike Shqiptare që udhëheq Ragmi Mustafa. Paradoksi tjetër qëndron në atë se menjëherë pas shpërndarjes së Kuvendit Komunal, qeveria serbe emëron organin e përkohshëm pesë anëtarësh marrë nga pesë subjekte politike dhe një caktojnë kryetar sipas madhësisë elektorale të subjektit politik. Partia Demokratike Shqiptare ishte e dyta në zgjedhjet e fundit dhe ka marrë kryetarin e përkohshëm gjer me 2 qershor kur do të jenë zgjedhjet”, ka thënë Mustafa, duke bërë të ditur se Alternativa e Arifit nuk ka dhënë emër për organ të përkohshëm “me qëllimin e mashtrimit të opinionit, kamuflimit, shantazhimit të kundërshtarëve politik dhe paraqitjen e tij si viktimë”.

“Në hovin e pakontrolluar të mllefit kundër institucioneve dhe përfaqësuesve të Kosovës, zotëri Arifi shkon aq larg sa që shpif dhe shtrembëron faktet, ashtu si që i konvenon atij personalisht. Për dallim nga z. Arifi dhe APN, Ragmi Mustafa, asnjëherë nuk e ka konsideruar, asnjëherë veprimin të cilit do Kryeministër apo President të Shqipërisë apo Kosovës si “ndërhyrje” për çështje që ndërlidhen me Shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edhe nëse nuk e dini, se ju dini pak nga ana njerëzore e intelektuale, mësojeni tani, në rrugën time të drejtë eci edhe vetëm! Ky është mësimi im jetësor, mos gjunjëzimi as edhe njëherë para askujt! Kjo vjen nga besimi dhe dashuria që kam për njeriun, kombin dhe atdheun! Po ju çka jeni e në ç’dreq besoni”, ka thënë Mustafa.

Lini një Përgjigje