Rama: Jemi 100% të fokusuar në lirimin e tre policëve të Kosovës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se janë të fokusuar 100 për qind në lirimin e tre zyrtarëve policorë kosovarë të kidnapuar dje nga Policia e Serbisë.

Përmes një shkrimi në Twitter, Rama ka përmendur se misioni i KFOR-it nuk ka dalë ende me konkluzione publike për vendndodhjen e tyre.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!” ka shkruar ai.

Tutje, ai e ka theksuar se janë të fokusuar në lirimin e tyre, dhe se nuk ka paralele mes këtij rasti dhe personit që u arrestua në veri, nën dyshimet për sulmet atje.

“Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre! Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.” tha tutje ai.

Ndërkohë, të mërkurën, xhandarmëria serbe, dyshohet se kidnapoi tre zyrtarë policorë në pikën kufitare me Serbinë në veri të vendit.

Sipas Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe është futur 300 metra në territorin e Kosovës.

“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.” është thënë në komunikatën e policisë.

Faktori ndërkombëtar ende nuk ka reaguar në lidhje me këto zhvillime, duke i pritur informacionet e KFOR-it rreth situatës.