Rama: Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve, nuk do të penalizohen

Kryeministri i vendit, Edi Rama në një intervistë për Report Tv është shprehur se çdo shqiptar që ka mbetur jashtë atdheut nuk do të penalizohet për tejkalimin e afateve të qëndrimit, pas mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit.

“Çdo gjë në kohën e duhur ju lutem. Nuk mund t’i zgjidhim të gjitha në të njëjtën minutë sepse nuk jemi zoti dhe nuk kemi shkop magjik, dhe duhet të kuptojmë që edhe të tjerët kanë një mijë halle e probleme të tyre. Franca që ka sistemin më të financuar nga buxheti i shtetit në shëndetësi gjendet në një situatë që është alarmante. presidenti i Francës bën thirrje për mobilizim vullnetarësh në mbështetje të sistemit shëndetësor. Amerika nuk ka respiratorë të mjaftueshëm, SHBA nuk kanë aparatura të mjaftueshme për ata që do të kenë nevojë për frymëmarrje të drejtuar. Mos vazhdojmë me të tjerët. Janë një mal me halle në çdo shtet. Dhe të gjithë ata që kanë mbetur në anën tjetër të kufirit duhet ta kuptojnë që kanë mbetur si rezultat i fillimit të një lufte, jo se i ka penguar një forcë që qëndron këtu në tokë, nga pikëpamja e një qeverie apo një tjetër. Siç i kemi pezulluar të gjitha afatet për të gjitha proceset burokratike, ashtu edhe vendet e tjera do të bëjnë të njëjtën gjë. Kush për shkak të ndalimit që ka krijuar lufta, sigurisht që nuk do të trajtohet sikur ka shkelur ligjin se kështu ka dashur vetë”, tha Rama.