Rama: Vlera themelore e arsyetimit të Venecias është se Meta ka shkelur Kushtetutën

Kryeministri Edi Rama ka komentuar opinionin paraprak të Komisionit të Venecias, që doli në përfundimin se Presidenti Ilir Meta kishte shkelur Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit.

Rama tha se ata që janë për t’u peshuar do të peshohen dhe se vlera themelore e arsyetimit të Venecias është se Meta e ka shkelur Kushtetutën.

“Procesi do të vazhdojë dhe do të shkojë deri në fund për të prodhuar një rekomandim për parlamentin. Të gjitha që janë për t’u peshuar do peshohen. Në radhë të parë nga ekspertë e njerëz të ligjit në atë komision dhe pastaj dhe në aspektin politik. Procesi nuk mund të ndalet pse diku është thënë një frazë. U bë deti kos sepse u tha që jo vetëm nuk u shkel kushtetuta por u bë një akt patriotik për të shpëtuar Shqipërinë nga apokalipsi dhe ndërkohë ne të tjerët që respektuam ligjin dhe votuesit u trajtuam sikur po merrnim peng dynjanë. Vlera themelore e arsyetimit të Venecias është Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, të tjerat janë nuanca që do të lexohen me kujdes nga ata që kanë detyrën t’i lexojnë”, deklaroi Rama.