Reagime të ashpra ndaj eurodeputetes gjermane: Kuptoje e pranoje se Serbia ka kryer krime në Kosovë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka vizituar dje Zyrat e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Eurodeputetja gjermane ka shkruar pas vizitës së saj se Prokurorët e Speciales po bëjnë një punë të mrekullueshme për të sjellë drejtësi dhe për të gjykuar krimet e luftës që besohet se janë kryer në Kosovë.

E natyrisht se kjo vizitë e saj dhe deklaratë ka ngjallur reagime të shumta në Twitter ku dhjetëra kosovarë i kanë reaguar ashpër asaj duke i thënë që ta lërë Gjykatën Speciale ta kryen punën e saj dhe mos të bën ndërhyrje politike, madje asaj i është bërë me dije se në Kosovë vetëm kriminelët serbë kanë kryer krime e jo kosovarët.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi i ka replikuar ashpër raportueses gjermane se shqiptarët janë të dënuar dy herë më shumë se serbët për krime lufte dhe Gjykata Speciale po vazhdon me veprimtari të neveritshëm.

“Ju po thoni se prokurori po ashtu po heton edhe kriminelët serbë? Pasi deri tani, në të gjitha gjyqet në Hagë, Prishtinë dhe Beograd, ka dy herë më shumë shqiptarë të dënuar se serbë për krime të luftës në Kosovë. Ky institucion si duket po vazhdon këtë veprimtari të neveritshme”, ka shkruar Selimi.

Raportueses gjermane i ka replikuar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Muhamet Brajshori.

Brajshori ka thënë se nuk është i sigurt se Viola është e gatshme të kuptoj e të pranoj se në çfarë shkalle të gjerë ka kryer Serbia ka kryer krime në Kosovë, sipas tij ajo nuk ka njohur për kontestin historik të 1998-99.

“Nuk jam i sigurt se Viola është e gatshme të kuptoj e pranoj se në çfarë shkalle të gjerë Serbia ka kryer krime në Kosovë e si duket nuk ka njohuri as për kontekstin historik të 1998-99. E për këtë kjo cicërimë është kaq e çuditshme që është edhe pjesë e kësaj vale revizioniste”, ka shkruar Brajshori.

Ndaj saj ka reaguar edhe këshilltari i Kryetarit të PDK’së, Kadri Veseli, Avni Bytyçi, vizitën e Von Cramon në Speciale e ka cilësuar ndërhyrje politike, këtë madje ai thotë se ua kanë mësuar miqtë ndërkombëtarë.

”Miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë ndihmuar të kuptojmë se politikanët nuk duhet të “vizitojnë” gjykatat, veçanërisht kur çështjet e rëndësishme trajtohen nga gjyqësori. Ata madje kanë fjalë të veçanta për politikanët që “vizitojnë” gjykatat. Quhet “ndërhyrje politike” dhe unë jam plotësisht dakord!”, ka shkruar Bytyçi në Twitter.

Ndaj saj ka reaguar edhe kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka thënë se e gjithë bota e di për krimet që ka bërë shteti serb.

“E gjithë bota e din për krimet që ka bërë shteti serb në fund të shekullit XX në disa vende të Ballkanit përfshirë Kosovën, Viola Von Cramon e ftoj që të vijë në Kosove ku se afërmi do t’i sheh krimet barbare që ka kryer shteti serb ndaj popullsisë së Kosovës, në vend që sot të dënohen kriminelet serb për krimet dhe dhunën e madhe që kanë kryer në Kosovë, sot po gjykohet lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit të Kosovës, Viola Von Cramon e ftoj edhe në Organizatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së të i tregojme për gjitha krimet e kryera nga shteti serb, i bëjmë thirrje Eurodeputetes Cramon të mos nderhyjë në punën e Gjykates Speciale, nëse vërtet dëshiron që të vendoset drejtësia atëherë të vijë dhe t’i shoh të gjitha krimet barbare të kryera nga forcat serbe në Kosovë!”, shkruan Gucati.

Kujtojmë se raportuesja gjermane njihet për qëndrimet e saj kontroverse në lidhje me çështjet kontroverse./Fokusi.info/