Refugjatet ukrainase në Prishtinë: S’e pritëm një mikpritje të tillë nga vendi që shteti ynë s’e ka njohur

Maria Vitalievna Kydurko dhe Yulia Oleksandrivna Obodovskaya, janë dy ukrainase të cilat kanë ardhur si refugjate në Kosovë, pasi u larguan nga vendi i tyre për shkak të luftës.

Në momentin që kanë filluar të bombardohen bazat ushtarake ukrainase, dy banoret e kanë marrë vendimin që të largohen nga aty, njëra me dy fëmijët e saj në moshë 8 dhe 10-vjeçare, dhe tjetra me fëmijën e saj 9-vjeçar.

Ato iu falënderuan popullit e në veçanti Policisë së Kosovës, për mikpritjen dhe ndihmat që ua kanë afruar që nga momenti kur ato arritën në kufi.

“Nuk kemi besuar se do të na priste një mikpritje e tillë nga populli e shteti që nuk iu është njohur pavarësia e tij nga shteti ynë”, thanë ato.

Duke i rrëfyer sfidat përgjatë kalimit të tyre nga Ukraina në Kosovë, ato tregojnë se si është bërë thirrje që gratë bashkë me fëmijët të largohen nga vendet ku po zhvillohet lufta, në mënyrë që ushtarët dhe populli ukrainas ta kenë më të lehtë luftimit ndaj agresionit rus.

“Fiks në kohën kur ekonomia po rregullohej dhe qeverisja ukrainase po shkonte drejt Evropës, erdhi lufta. Kjo i ka penguar rusëve, që tani më Ukraina dëshiron të shkojë drejt BE-së kështu duke e zgjedhur edhe një president pro-evropian”, fillon rrëfimi i tyre, duke thënë se gjithmonë ukrainasit e kanë ëndërruar rrugën drejt Evropës e jo drejt Rusisë.

Ato kujtuan datën 24 shkurt, si datë të fillimit të luftës pasi që dëgjuan dhe panë shpërthime të armëve, ku presidenti i Rusisë Vladimir Putin i arsyetoi me “operacione speciale të shpëtimit”.

“Sulmi filloi që atëherë sepse u bombardua infrastruktura, autostradat, aeroportet dhe urat, për t’ia pamundësuar popullit ukrainas largimin nga vendi i tyre”, kështu shpjeguan ato, duke shtuar se “kinse gabimisht u shkatërruan edhe vendbanimet e shumë ukrainasve, derisa gënjenin popullin se po luftojnë kundër neo nazistëve.

Dy banoret e qytetit të Vinnicya, treguan se bashkëshortët e tyre janë duke luftuar në vendet ku po zhvillohet agresioni më i madh, derisa theksuan se edhe shumë gra të tjera kanë mbetur të ngujuara atje, duke i përmendur edhe nënat dhe motrat e tyre.

“Kanë kaluar 20 ditë luftë, si nuk po e besoni këtë”, pyet njëra nga refugjatet derisa me mllef thotë se më nuk do t’i konsiderojë vëllezër popullin rus.

“Shpresoj të kryhet sa më shpejtë lufta sepse po sulmohet më shumë populli se ushtria jonë”, janë fjalët e njërës nga refugjatet, e cila me lot në sy kujton pamjet që ajo ka parë gjatë kalimit nëpër qytet ukrainase. Ajo shpjegoi se si disa qytete janë “rrafshuar” dhe nuk ka mbetur asgjë prej tyre.

Ato dëshiruan t’i dërgojnë mesazhe popullit e ushtrisë së Ukrainës që të mos dorëzohen.

“Slava Ukraini”, thanë plot mburrje ato./Infosot