Rexhep Selimi: LDK e PDK po e luftojnë Qeverinë, jo pandeminë

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kritikuar anëtarët e kryesisë së Kuvendit nga LDK dhe PDK, që kundërshtuan projektligjet për parandalimin e virusit Covid 19.

Selimi thotë se LDK’ja dhe PDK’ja e kanë lëshuar mbledhjen duke e krijuar një atmosferë jobashkëpunuese.

“Kemi konstatuar dhe prapë po vazhdojmë të ritheksojmë që proceduralisht janë plotësuar kushtet që të procedohen këto projektligje. Nuk është kryesia e Kuvendit ku ne duhet të diskutojmë për materien e këtyre projektligjeve. Nënkryetari i LDK-së dhe shefi i Grupit parlamentar lëshuan mbledhjen, duke krijuar një atmosferë jobashkëpunuese. Të tri projektligjet kanë të bëjnë me gjendjen e përballjes me pandeminë”, ka thënë Selimi.

Ai tutje thotë se LDK e PDK janë të fokusuara vetëm ta luftojnë Qeverinë në detyrë, e jo pandeminë.

“Duket që LDK-ja nuk është e shqetësuar as për qytetarët e as për luftën ndaj koronavirusit, por për luftën kundër Qeverisë. E përqendruar në këtë luftë jo vetëm për qeverisjen e saj, por edhe për ndihmën që me ia dhënë qytetarëve. LDK-ja e ka në mendje një bashkëpunim me Thaçin për të ndërtuar në mënyrë kundërkushtetuese koalicione që i ka proklamuar kohëve të fundit. Qeveria duhet të ndihmohet”, ka thënë Selimi.