Rrahje e gjuajtje me armë, plagoset një person në Gjilan

Një tentim vrasje ka ndodhur në Gjilan, me ç’rast është plagosur një person, i cili është shtrirë në spital ku edhe po merr trajtimin mjekësor.

E gjithë kjo ngjarje që ka ndodhur dje në qytetin e Gjilanit rreth orës 15:00 thuhet se ka ardhur pas një mosmarrëveshje që kanë pasur palët një pronë.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje rreth një prone ishte sulmuar me mjete të forta dhe qëlluar me armë zjarri nga katër të dyshuar meshkuj kosovar të cilët pasi e kishin kryer veprën janë larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raportin e policisë.

Tutje policia njofton se viktima kishte marrë plagë në këmbë dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit të policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore ku kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të armës së zjarrit.

Njësitet policore të dyshuarit i kanë kërkuar në shtëpitë e tyre, por ata nuk janë hasur atje, pasi gjenden në arrati.

Policia e Kosovës thekson se ky rast po vazhdon të hetohet.