Sajuan atentatin në Vlorë, arrestohet Romario Aliraj dhe shoku i tij

Policia e Vlorës ka arrestuar Romario Alirajn dhe shokun e tij, pasi kanë sajuar atentatin me armë në Vlorë. Policia thotë se Romario Aliraj sajoi atentatin për përfitime personale. I riu tha se u qëllua rreth 19 herë nga një makinë tjetër, por rezultoi se e gjithë ngjarja ishte e inskenuar.

Ka qënë vet Romario Aliraj dhe shoku i tij të cilët kanë qëlluar me automatik makinën llojit Golf. “Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike”, – thotë policia. Ngjarja ndodhi në 12 maj.

Romario Aliraj menjëherë pas atentatit doli dhe dha intervista për mediat ku u shpreh se i njihte autorët dhe se do të merrte hak. Gjithashtu Aliraj u arrestua edhe për faktin se gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke lëvizur me një makinë.

Njoftimi i Policisë
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 12.05.2019, ku persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 24 vjeçarin R. A, i cili në momentin e sulmit ishte duke drejtuar automjetin e tij Volkswagen Golf në autostradën Vlorë-Levan, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë ka zbardhur ngjarjen, ku ka rezultuar se ngjarja është sajuar nga autori dhe shoku i tij , për interesa personale.
Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

R.A, 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.
A.V., 51 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.

Gjithashtu, për shtetasin R.A, më datë 01.06.2019, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.

Materialet në ngarkim të personave të ndaluar i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme