Serbët fillojnë lëvizjet e para në veri pas dislokimit të forcave policore, pritet bllokimi i rrugëve

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka vendosur që ta rris prezencën e saj në veri të vendit, siç thuhet, për arritjen e objektivave të saj.

Në një komunikatë dërguar mediave, Policia e Kosovës ka deklaruar ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të saj.

Zbatimi i këtij vendimi ka nisur në orët e mbrëmjes, ku dhjetëra policë të Kosovës janë vendosur në pjesën veriore të Mitrovicës.

Në videot e publikuara shihen zyrtarë të shumtë policorë në Lagjen e Boshnjakëve dhe pjesë tjera të veriut të Mitrovicës.

Pas vendosjes së këtyre policëve, mediat në Beograd i kanë dhënë jehonë të madhe, duke propaganduar se si Prishtina po e “okupon” veriun dhe kështu po i kontribuojnë edhe më shumë tensionimit të gjendjes atje.

Burime të Demokracia.com brenda organeve të sigurisë kanë thënë se strukturat kriminale në veri tashmë kanë filluar lëvizjet e para. Këto burime thonë se gjatë natës, serbët e dirigjuar nga strukturat politike dhe parapolitike të Serbisë, do të tentojnë t’i bllokojnë rrugët në katër komunat veriore.

Një bllokadë e tillë do ta ndizte edhe më shumë situatën, edhe ashtu të brishtë. Kujtojmë se ditëve të fundit tensionet në veri janë përshkallëzuar, sidomos pas tentimit të KQZ-së për të vendosur zyrtarët që do të merreshin me përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

Pardje dhe dje ka pasur të shtënat armësh, hedhje granatash dhe shok-bombash në veri të Mitrovicës, ku janë sulmuar edhe zyrat e KQZ-së. Në anën tjetër, zyrtarët ndërkombëtarë kanë kërkuar nga liderët institucional të Kosovës që t’i shtyjnë këto zgjedhje për një datë tjetër.