SHBA-ja dhe Irani kontaktuan me ndërmjetësues zviceranë para sulmit në Izrael

Shtetet e Bashkuara kanë pasur kontakte me Iranin përmes ndërmjetësuesve zviceranë, përpara dhe pas sulmit masiv të Teheranit me dronë dhe raketa kundër Izraelit, në orët e para të së dielës, ka thënë një zyrtar i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Ky zyrtar nuk ka dhënë hollësi për kontaktet, dhe vetëm ka thënë se SHBA-ja dhe Irani kanë pasur “një seri komunikimesh përmes kanalit zviceran”.

I pyetur për komentet e ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, që Teherani i ka lajmëruar shtetet e rajonit 72 orë para nisjes së sulmit, ky zyrtar ka thënë se deklarata nuk është e vërtetë.

“Ata nuk kanë bërë lajmërime. Ata kanë dashur të shkatërrojnë dhe të ketë viktima”, ka thënë ky zyrtar.

Izraeli dhe aleatët e tij i kanë rrëzuar pjesën më të madhe të rreth 300 dronëve dhe raketave të nisura përgjatë natës prej Iranit, sipas evropa e lire.

Autoritetet izraelite kanë raportuar vetëm për dëme të lehta në një instalim ushtarak dhe kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare është plagosur rëndë, pasi pjesa më e madhe e raketave janë rrëzuar pa arritur në tokë.

Irani ka thënë se sulmet janë kundërpërgjigje të një sulmi të kryer në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e të cilit janë vrarë disa iranianë, përfshirë figura të rëndësishme ushtarake.

Izraeli as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar kryerjen e sulmit. Benny Gantz, ministër në kabinetin e luftës në Izrael, ka thënë se Izraeli do të caktojë “çmimin e saktë” të sulmit të Iranit ndaj tij në kohën e duhur. Qeveritë perëndimore dhe të tjera kanë bërë thirrje për përmbajtje.

Lini një Përgjigje