Shoferi i një veture dhe pasagjeri sillen lirshëm me armë nëpër Prishtinë, kapen në flagrancë nga Policia

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.

Një rast i tillë është zbuluar të dielën në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, pasi një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë ka ndalur për kontroll një veturë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, te shoferi dhe te pasagjeri janë gjetur dy armë zjarri me karikator dhe fishekë. Armët dhe municioni janë sekuestruar, ndërsa të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“