Shqipëria mbërrin në Paris, kjo është risia e trajnerit Reja

Shqipëria ka udhëtuar dje drejt Francës për të qenë 48 orë përpara në tokën ku do të luhet ndeshja kualifikuese e radhës.

Për kuqezinjtë, me ardhjen e trajnerit Reja, është bërë tashmë praktikë që skuadra të udhëtojë drejt tokës ku luhet më shumë sesa 1 ditë para ndeshjes. Kur është mundësia e kalendarit, kuptohet.

Kuqezinjtë do të zbresin sot në fushë për të bërë stërvitjen zyrtare, mirëpo për lojtarët nën drejtimin e trajnerit dhe stafit teknik, udhëtimi është kryer dje dhe gjatë pasdites gjithashtu një stërvitje në tokën franceze, shkruan “Panorama Sport”.

UDHËTIMI – Shqipëria ka lënë tokën tonë dje rreth orës 11:15. Pas konsumimit të mëngjesit, kuqezinjtë i janë drejtuar aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” për të fluturuar për afro dy orë drejt Parisit. Grupi i lojtarëve ka qenë i plotë dhe të gjithë të gatshëm për të udhëtuar drejt Francës përpara një ndeshjeje kaq të rëndësishme sa ajo ndaj “Gjelave”.

STËRVITJA – Trajneri Reja ka sjellë një risi. Kombëtarja shqiptare, sa herë është mundësia e udhëtimit më herët në kohë, e bën. Edhe këtë radhë, trajneri ka preferuar që të udhëtojë dy ditë para zhvillimit të ndeshjes. Pra, paraditen e djeshme, ai ia ka kushtuar fluturimit drejt Francës dhe, pse jo, lodhjes që të krijon diçka e tillë.

Pas konsumimit të drekës, gjatë pasdites ai ka zbritur me ekipin në fushë për të njohur lojtarët me klimën franceze dhe temperaturat. Ndryshe nga Panuçi, por edhe Xhani De Biazi, Reja e ka zbatuar edhe më parë diçka të tillë. Sot, lojtarët do të prekin tapetin e “Stade de France”, impianti me mbi 80 mijë spektatorë, ku edhe do të zhvillohet ndeshja kualifikuese Francë-Shqipëri, të shtunën në orën 20:45.