Shtëpia e Bardhë publikon pjesë nga fjalimi i Hotit pranë Trumpit

Faqja zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në “Facebook” ka postuar një pjesë të fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Po ashtu, postimit i është shtuar edhe një citat nga fjalimi.

Në postimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet kështu:

“Kryeministri Avdullah Hoti i Kosovës: Ne jemi të angazhuar që të punojmë së bashku për përmirësimin e jetës së njerëzve, që të krijojmë punë në rajon. Ne ndajmë të njëjtat vlera të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë”.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Marrëveshja pason diskutimet ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan më 3 shtator në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e këshilltarit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, dhe të dërguarit të Posaçëm të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë marrëveshje, Kosova gjithashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Në marrëveshje përmendet se Kosova dhe Izraeli e pranojnë njëra tjetrën, dhe se Serbia do ta zhvendos ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem.