S’ka mbyllje të ekonomisë nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme, vetëm mobilizohet shteti kundër virusit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit të sotëm me kryetarët e komunave ka njoftuar se me këtë trend të të prekurve me COVID-19, duhet të konsiderohet si mundësi shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas Hotit, kjo nuk nënkupton paralizim të bizneseve dhe institucioneve e as mbyllje të plotë të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.

Edhe kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri janë shprehur se gjendja e jashtëzakonshme për të cilën është diskutuar parasheh që të izolohen disa komuna të cilat kanë numër më të madh të rasteve aktive me koronavirus apo të bëhet izolimi i disa lagjeve në komuna të caktuara.

Prandaj, sipas tyre, aktivitetet e veprimtarive të ndryshme në vend nuk do të funksionojnë, vetëm në raste kur detyrohen që të bëhet mbyllja e tyre për shkak të vatrave të  reja të koronavirusit.

I pari i Malishevës, Ragib Begaj në një prononcim për Gazetën Sinjali ka dhënë detaje nga takimi që është mbajtur sot me kryeministrin Hoti.

Begaj tha se aty nuk është diskutuar mundësia për izolim të plotë. Sipas tij, Malisheva nuk është në mesin e komunave të cilat duhen të izolohen.

“Masat me u respektuar. Një izolim total jo, por një mbikëqyrje totale po. Një përforcim në komunat që kanë më shumë raste. Malisheva tani nuk bënë pjesë në ato komuna. Po me këtë gjendje të jashtëzakonshme parashihen me u izolua vetëm komunat me më shumë raste apo lagjet e caktuara në një komunë. Detajet e tjera do t’i marrim me shkrim. Çdo vendim të qeverisë do ta zbatojmë. Është e mundshme me e përcjell strikte. Pasojat ekonomike dhe të njerëzve janë të papërballueshme”, deklaroi Begaj për Gazetën Sinjali.

Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha për Gazetën Sinjali se komuna që udhëheqë nuk ka arsye që të mbyllet.

Tahiri shtoi se në këtë takim është diskutuar që ekonomia të vazhdojë aktivitetin e saj dhe për këtë ka pasur mbështetje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Vlerësimi do të behët në bazë të numrit të rasteve. Vushtrria tash është komuna e shtatë me numrin e rasteve aktive, nuk ka arsye për t’u izoluar Vushtrria për shkak se janë të paktën pesë komuna në bazë të statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë që kanë më shumë raste aktive. Nuk jemi më komuna e dytë, duhet të merren për bazë numrin e rasteve aktive. Në takim është thënë se masat e jashtë zakonshme dhe nëse aprovohen ekonomia do të vazhdoj të funksionin në bazën e kësaj e kanë mbështet. Është përfol për një pjesë të lagjeve ku ka më së shumti të prekur. Vetëm për të parandaluar shpërthimin në ndonjë vatër do të mbyllen bizneset”, tha Tahiri për Gazetën Sinjali.

Numri i rasteve aktive dhe rasteve të vdekjeve nga koronavirusi në javët e fundit në vendin tonë janë rritur dukshëm.